Select Page

– “Ata i përgjigjen thirrjes së Zotit të tyre…” – Ata i përgjigjen Zotit të tyre, pra, vendosin t’i nënshtrohen dhe t’i binden Atij. Ata e presin ftesën e Allahut me respekt dhe vlerësim të lartë. Sapo dëgjojnë këtë ftesë, qëllimi i jetës së tyre bëhet arritja e kënaqësisë së Allahut të Madhëruar, nëpërmjet fjalëve dhe veprave që Ai i dëshiron prej tyre. Pjesë e përgjigjes së thirrjes së Zotit është edhe falja e namazit dhe shpenzimi për hir të Tij, por Allahu i Lartësuar i përmend këto vepra veçmas, për të treguar vlerën dhe rëndësinë e madhe të tyre:

“… dhe e falin namazin rregullisht.” – Ata kryejnë namazet e detyrueshme dhe ato të pëlqyeshme, me të gjithë elementët përbërës të tyre. Ata, gjithashtu, shpenzojnë pasurinë e tyre për hir të Zotit, qoftë në drejtime të detyrueshme, siç është zekati, ndihma për të afërmit etj., qoftë në drejtime të tjera të pëlqyeshme.

– “Ata këshillohen me njëri-tjetrin për çështje të përbashkëta dhe japin (lëmoshë) prej asaj që u kemi dhënë Ne …” – Secili prej tyre nuk ia imponon mendimin e tjetrit në çështjet e përbashkëta. Sigurisht, një virtyt i tillë mund të ekzistojë veçse në një shoqëri të bashkuar dhe të ndërtuar mbi një lidhje dashurie shumë të fortë. Pjesëtarët e kësaj shoqërie janë njerëz të formuar, me edukatë dhe të mençur. Nëse ata i shqetëson një çështje, e cila ka nevojë të studiohet dhe të pleqërohet mirë, ata mblidhen bashkë dhe e diskutojnë atë. Nëse shohin që është e dobishme, ia nisin punës për ta kryer atë. Kështu, për shembull, ata diskutojnë për çështjet e luftës, për emërimin e drejtuesve apo të gjykatësve, për çështje fetare e për çështje të tjera, që janë të nevojshme të trajtohen e të zgjidhen ashtu si është më e mira.