Select Page

– “Zoti i saj e pranoi përkushtimin e saj, me një pranim të mirë (e të shpërblyeshëm) dhe e rriti atë (vajzën) me një edukatë të mirë. Ai e vuri atë nën kujdesin e Zekerias.” – Pra, Allahu i Lartësuar e pranoi keqardhjen e saj që fryti ishte femër dhe e ruajti atë dhe pasardhësit e saj prej shejtanit. Allahu i Lartësuar u përkujdes për të, që ajo të rritej e rregullt dhe e shëndetshme fizikisht dhe moralisht.

Allahu i Lartësuar bëri që për Merjemen të përkujdesej Zekeria (a.s.), sepse “keffelehâ Zekerijâ”, domethënë: “e ngarkoi Zekerian” me përgjegjësinë që të kujdesej për Merjemen. Kjo tregon butësinë dhe mëshirën e Allahut të Lartësuar mbi Merjemen, tregon përkujdesjen e madhe të Tij që Merjemja të rritej dhe të formohej me moralin më të mirë. Ajo u rrit duke adhuruar Allahun dhe u ngrit mbi të gjitha gratë e kohës së saj. Ajo qëndronte vetëm në faltoren e saj, duke adhuruar Allahun pandërprerë.

– “Sa herë që hynte Zekeria në dhomën e faljes së saj, gjente atje ushqim…” – Ky furnizim me shumëllojshmëri frutash i dhurohej Merjemes drejtpërdrejt nga Zoti i saj, pa qenë e nevojshme që ajo të punonte. Kjo qe pa dyshim një mrekulli (keramet) 15, me të cilën Zoti e dalloi Merjemen nga të tjerët. Ndërsa Zekeria, që e pa këtë mrekulli me sytë e tij, pyeti:

– “…Prandaj pyeti: “O Merjeme! Nga të vjen ky ushqim?” Ajo i tha: “Nga Allahu. Vërtet, Allahu i jep pa masë atij që do.” – Ajo iu përgjigj se ushqimi ishte dhuratë prej Zotit. Ajo i kujtoi Zekerias se Allahu i Lartësuar e furnizon atë që do pa llogari dhe pa qenë e nevojshme  që ai të lodhet që ta fitojë. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Kush tregon devotshmëri ndaj Allahut, Ai i jep rrugëzgjidhje për gjithçka dhe e furnizon prej nga nuk e pret.” [Talak 2, 3].

Ky ajet dëshmon vërtetësinë e mrekullive (kerameteve) me të cilat Allahu i Lartësuar veçon disa nga të dashurit e Tij të sinqertë. Ato janë të sakta, të vërteta e të padiskutueshme, edhe pse disa mundohen t’i mohojnë. Kur Zekeria (a.s) pa atë mrekulli (keramet) mbi Merjemen, atij i lindi dëshira që t’i kërkonte Allahut të Lartësuar një fëmijë, edhe pse gruaja e tij ishte beronjë kurse ai vetë në moshë të thyer

15 Ngjarjet dhe ndodhitë e jashtëzakonshme që u ndodhin dhe u dhurohen profetëve quhen mrekulli, ndërsa  të tilla ndodhi që u dhurohen  besimtarëve dhe besimtareve të sinqerta quhen keramete.