– ”Njeriu është (krijuar si) një qenie e ngutshme.” – Njeriu është krijuar i tillë, që veç nxitohet dhe e kërkon me ngut përmbushjen e synimeve të tij. Besimtarët kërkojnë që të godasë sa më shpejt ndëshkimi i Zotit mbi mohuesit dhe ndonjëherë u duket se ai po vonohet. Ndërsa mohuesit i kanë kthyer shpinën dhe i shpërfillin kërcënimet e Zotit, duke treguar kështu se nuk besojnë se ato do të ndodhin.
Ata madje thonë: “Kur do të realizohet ky premtim, nëse thoni të vërtetën?” [Junus 48]. Por, le ta dinë të mjerët se Allahu i Madhëruar i afatizon, por kurrë nuk harron. Allahu i Madhëruar është i Butë dhe nuk nxitohet që të ndëshkojë, por u jep afat që të pendohen. Ai thotë në një ajet tjetër: “Çdo popull ka afatin e vet. Kur të vijë afati i tyre, ata nuk mund ta shtyjnë asnjë çast të vetëm dhe as ta përshpejtojnë.” [Junus 49]. Ndërsa këtu thotë:
– ”Unë do t’jua tregoj së shpejti Shenjat e Mia; prandaj ju nuk do të më kërkoni t’u vijë më shpejt (dënimi).” – Unë do t’jua tregoj shenjat e Mia te ndëshkimi i atyre që më mohuan dhe nuk mu bindën, prandaj mos u ngutni!