– “Kështu, Ne e kemi shpallur atë (Kur’anin) në gjuhën arabe, për të qenë një Ligj i përkryer.“ – Kuptimi: Ne e kemi shpallur këtë libër që të jetë një ligj i përkryer, i qartë dhe i kuptueshëm. Ne e shpallëm Kur’anin me gjuhën më të pasur dhe të përkryer, më shprehëse dhe më të bukur, që ai të jetë i qartë dhe i kuptueshëm, që nuk shkakton asnjë ngatërresë.
Kur’ani është një ligj që nuk pranon asnjë ndryshim dhe që duhet pasuar rigorozisht. Atë nuk mund ta trazojnë devijimet e njerëzve dhe ai nuk i pranon ato. Kush pason Kur’anin nuk mund të ndjekë dëshirat personale të devijuara, ashtu si dhe kush ndjek dëshirat personale nuk mund të pasojë Kur’anin madhështor.
Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar paralajmëron dhe kërcënon që të jemi të kujdesshëm në pasimin e këtij ligji. Ky kërcënim i drejtohej Profetit, – edhe pse ai ishte i ruajtur nga një gabim i tillë, – për dy shkaqe: së pari, për të treguar se Profeti ishte i ruajtur dhe, së dyti, që umeti i tij të jetë i kujdesshëm dhe pasues i Profetit në zbatimin e ligjit të Zotit.
– “Por, nëse ndjek dëshirat e tyre, pas diturisë së madhe që të ka ardhur, ti nuk do të kesh as ndihmë e as mbrojtje prej Allahut.“ – Porosia e Allahut është që të mos ndjekësh dëshirat dhe devijimin e njerëzve, por të pasosh diturinë dhe dritën e Zotit. Nëse njeriu ndjek pasionet e devijuara, që nuk janë të ndriçuara nga drita e udhëzimit të Zotit, atëherë le ta dijë se nuk ka për të gjetur as mik, që ta ndihmojë për të arritur qëllimet e tij, dhe as mbrojtës, që ta ruajë nga të këqijat në dynja dhe në ahiret.