– “E kush është më i padrejtë se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut, ose që i mohon shpalljet e Tij? Atyre do t’u jepet (prej dynjasë) pjesa që u është përcaktuar (nga Zoti).“ – Nuk ka zullumqarë më të mëdhenj sesa ata që kanë këto dy cilësi:
1. Trillojnë gënjeshtra për Allahun. Të tillë janë ata që bëjnë shirk, duke adhuruar dikë tjetër veç Tij, ata të cilët e përshkruajnë Allahun me emra, cilësi dhe vepra, që nuk i shkojnë madhështisë së Tij, edhe ata të cilët flasin në emër të Zotit gjëra të cilat Ai nuk i ka thënë.
2. Nuk pranojnë argumentet e Allahut, të cilat janë plotësisht të qarta dhe udhëzuese në rrugën e drejtë. Këta njerëz, edhe nëse përjetojnë kënaqësitë e kësaj dynjaje dhe arrijnë të realizojnë ndonjë qëllim të tyre në këtë dynja, – që, në fund të fundit, është përcaktuar për ta në Leuhi Mahfudh, – përsëri kjo nuk ka për t’i ndihmuar në ahiret. Ata do të kënaqen pak në këtë botë, – ku si besimtari, edhe jobesimtari marrin vetëm aq sa u ka përcaktuar i Madhi Zot, – por në ahiret i pret vetëm ndëshkimi. I Lartësuari thotë:
– “Kur të dërguarit (melekët) Tanë të shkojnë për t’u marrë shpirtin, do t’u thonë:…” – Këtu bëhet fjalë për melekët që janë ngarkuar për marrjen e shpirtit, pas plotësimit të exhelit. Kështu, kur melekët afrohen për t’u marrë shpirtin, do t’u drejtohen me fjalë të ashpra, duke u thënë:
– “Ku janë ata që u luteshit përveç Zotit?” – Ku janë tani putat dhe idhujt tuaj, që ju i adhuronit dhe u luteshit me përgjërim? Ky është çast tepër i vështirë për ju. Nëse besoni se ata mund t’ju ndihmojnë, tani është koha më e përshtatshme për t’iu lutur. Lutuni, se mbase ju përgjigjen! Por duke vuajtur peshën e këtyre fjalëve torturuese, ata të mjerë do të thonë:
– “Ata do të thonë: “Kanë humbur prej nesh”. – Ikën, u tretën, u zhdukën. Jo vetëm që nuk na shpëtojnë nga ndëshkimi i Allahut, por as nuk na e lehtësojnë ndopak atë. Kështu, ata dëshmojnë kundër vetes së tyre, sikurse thotë Allahu i Lartësuar më pas:
– “Kështu, ata do të dëshmojnë kundër vetes se e kanë mohuar Allahun.” – Ata do të dëshmojnë kundër vetes së tyre se kanë qenë mohues të së vërtetës dhe mosbesimtarë ndaj Zotit. Kjo i bëri ta meritojnë ndëshkimin poshtërues dhe të përjetshëm.