– “Vërtet, jeta e kësaj bote është vetëm lojë e dëfrim.” – Duke u zbuluar realitetin e kësaj dynjaje, Allahu i Madhëruar i nxit adhuruesit e Tij që të mos jepen shumë pas saj. Ai u tregon se kjo dynja është lojë e argëtim. Njerëzit, në përgjithësi, jepen tërësisht pas pasurisë, fëmijëve, femrave, ushqimeve, pijeve, banesave, argëtimeve dhe pushtetit. Ata shpesh hutohen pas lojrave të padobishme, në pasivitet, shpërqendrim e gjynahe.
Kështu vazhdojnë të mjerët, derisa u mbaron afati në dynja dhe i gllabëron vdekja. Të gjitha qejfet shkatërrohen dhe tashmë ata e kuptojnë që nuk kanë fituar asgjë me to. Madje, afati i tyre jo vetëm që ka përfunduar pa asnjë dobi, por u sjell një pasojë të hidhur. Në ahiret, ata do të privohen nga çdo e mirë dhe do të hidhen në ndëshkim të rëndë.
Kësisoj, nëse robi e sheh këtë të vërtetë në sy, atëherë, nëse ka pak logjikë, do t’i shpërfillë qejfet e tepruara të kësaj jete dhe do të tregohet më i përkorë. Ai do t’i kushtojë vëmendje asaj që Allahu thotë më pas:
– “Nëse besoni dhe ruheni prej të këqijave, Ai do t’jua japë (të plotë) shpërblimin tuaj.” – Robit i sjell dobi besimi në Allahun, melekët e Tij, shpalljet, profetët, Ditën e Gjykimit, si edhe përpjekja për të qenë i devotshëm ndaj Tij, duke kryer urdhëresat dhe duke lënë ndalesat, në emër të dashurisë për Zotin dhe për nënshtrim ndaj Tij. Puna e vazhdueshme për të kënaqur Allahun, duke iu larguar gjynaheve dhe mosbindjes ndaj Tij, i sjell robit vetëm mirësi.
Për të arritur këtë qëllim, ai duhet të garojë dhe të shpenzojë të gjithë mundin dhe kohën e mjaftueshme. Këto vepra, që përmblidhen me fjalën ‘adhurim’, janë qëllimi kryesor pse Allahu i Madhëruar i krijoi njerëzit. Ato janë, në fakt, mëshirë dhe butësi për ta. Nëse i kryejnë ato, Allahu i Madhëruar do t’i shpërblejë pa masë.
– “Ai nuk kërkon prej jush (ta shpenzoni tërësisht) pasurinë tuaj.” – Kuptimi: Allahu i Madhëruar nuk dëshiron t’ju ngarkojë me diçka që ju rëndon së shumti. Ai nuk dëshiron t’ju pakësojë pasurinë apo t’ju lërë pa të. Nëse Ai do t’ju kërkonte të gjithë pasurinë tuaj, ju do të tregoheshit koprracë dhe do të dilte në shesh urrejtja që keni në zemër, kur ju kërkohet diçka që ju nuk e dëshironi. I Madhëruari thotë më pas: