– “Së bashku me të, hynë në burg dy të rinj.” – Në burg bashkë me Jusufin (a.s) ishin edhe dy djem të rinj. Ata kishin parë nga një ëndërr dhe ia treguan Jusufit, në mënyrë që ai t’ua shpjegonte:
– “Njëri prej tyre tha: “Unë pashë në ëndërr sikur po shtrydhja rrush (për verë)”. Ndërsa tjetri tha: “Unë pashë në ëndërr sikur po mbaja mbi kokë një bukë, që po e çukisnin zogjtë.”” – Ata pyetën Jusufin se ç’kuptim kishin ëndrrat e tyre. Ata i thanë: “Ne të shohim se ti je bamirës me njerëzit.”
– “A mund të na i shpjegosh këto ëndrra, se dukesh vërtet që je njeri i mirë?”” – Tregohu i mirë me ne dhe na shpjego ëndrrat tona, ashtu siç je treguar i mirë me të tjerët. Kështu, ata kërkuan të miqësoheshin me Jusufin, duke e vlerësuar për bamirësinë dhe mirësjelljen e tij ndaj njerëzve. Atëherë, Jusufi (a.s) iu përgjigj: