– “Ne çuam në çdo popull të dërguar, që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun e largojuni shejtanëve!” – Allahu i Lartësuar na tregon se ka sjellë argumente të qarta në çdo popull, nga i pari, deri tek i fundit. Tek të gjithë Allahu ka dërguar profetë, të cilët ishin unanimë në mesazhin e tyre. Ftesa e tyre ishte e njëjtë edhe besimi që predikuan ishte i njëjtë: adhurimi i një Zoti të vetëm si Një dhe i Pashoq. Në varësi të përgjigjes së kësaj ftese, popujt u ndanë në dy grupe. Thotë i Madhëruari:
– “Por pati nga ata që Allahu i udhëzoi …” – Këta i pasuan profetët qoftë në drejtim të diturisë, qoftë në drejtim të punës dhe të jetuarit sipas kësaj diturie e besimi.
– “… dhe pati nga ata që merituan të mbeten në humbje.” – Këta pasuan rrugën e humbjes dhe të ndëshkimit.
– “Atëherë, udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve!” – Udhëtoni jo vetëm me trupin tuaj, por edhe me zemrën e mendjen tuaj! Nëse e bëni këtë, do të shihni çudira. Do të shihni e do të bindeni se çdokush që mohoi besimin u ndëshkua dhe pati përfundimin më të hidhur.