Select Page

– “Kur ajo e lindi (foshnjën), tha: “O Zoti im! Unë e linda femër.” – Me sa duket, ajo dëshironte shumë që fëmija të ishte mashkull, sepse ashtu do të ishte më i dobishëm në shërbim të shtëpisë së Zotit dhe më i plotë si përkushtim. Në fjalët e saj dallohet një shenjë keqardhjeje para Zotit të saj. Por i Urti e i Dituri thotë:

“Por, Allahu e dinte shumë mirë se çfare kishte lindur ajo. Sigurisht që mashkulli nuk është si femra.” – Allahu e dinte shumë mirë se çfarë do të lindë ajo dhe nuk kishte nevojë për lajmërimin e saj. Madje, Ai e dinte gjendjen e frytit  të barkut të saj para se të dilte në dritë. Ky ajet tregon, gjithashtu, se mashkulli është më i vlefshëm se femra.

– “Unë i vura emrin Merjem. Atë dhe pasardhësit e saj po t’i lë Ty në mbrojtje prej shejtanit të mallkuar.”. – Nga këtu mësojmë se është e lejueshme që emri i fëmijës të vendoset nga nëna, nëse babai nuk e ndalon një gjë të tillë. Kjo është një lutje që nëna e Merjemes ia drejtoi Allahut të Lartësuar për Merjemen dhe pasardhësit e saj. Ajo e luti Allahun që ta ruajë Merjemen dhe pasardhësit e saj, prej shejtanit të mallkuar.