Select Page

Ata të cilëve Ne u kemi dhënë Librin gëzohen me atë që t’u shpall ty.” – Ata të cilëve Zoti u dhuroi mirësinë e diturisë rreth shpalljeve të Tij gëzohen me këtë Shpallje madhështore, që po të dhurohet ty, o Muhamed. Ata janë të bindur se ajo t’u shpall nga Zoti i gjithësisë. Ata lumturohen me dritën e Zotit dhe e besojnë atë.

Ata e pranojnë Shpalljen e re dhe gëzohen kur shohin që ato vërtetojnë njëra tjetrën. Kjo është gjendja e ithtarëve të Librit të cilët e besojnë Shpalljen që iu dhurua Muhamedit a.s. Megjithatë, ka shumë grupime që e refuzojnë një pjesë të Shpalljes së Zotit:

Por ka grupime që e mohojnë një pjesë të tij.Por në këtë mënyrë, ata mohojnë të gjithë Shpalljen, pa e kuptuar. Lum ata që Zoti i udhëzoi në rrugën e drejtë dhe mjerë mohuesit që e shpërfillën Shpalljen e Tij!

Thuaj: “Unë jam urdhëruar që të adhuroj vetëm Allahun, pa i bërë shok Atij.Ti, o Muhamed, je thjesht një këshillues e paralajmërues, që fton në udhën e drejtë të Zotit, prandaj tregoju atyre se për çfarë je urdhëruar. Thuaju atyre: “Unë jam urdhëruar që të adhuroj vetëm Allahun, pa i bërë shok Atij”. Domethënë, jam urdhëruar që, të gjithë adhurimin e fenë t’ia kushtoj vetëm Allahut me sinqeritet dhe me besnikëri, ashtu siç më ka urdhëruar.

Unë vetëm tek Ai ftoj dhe vetëm tek Ai është kthimi im.” – Unë i ftoj njerëzit në fenë dhe ligjin e Zotit, i ftoj që të përkushtohen në adhurimin e Tij si Një i vetëm dhe të nënshtrohen ndaj ligjit të Tij. Unë vetëm tek Ai shpresoj të më dojë dhe të më shpërblejë për punën dhe lodhjen time në këtë çështje. Vetëm Atë e shpresoj kur kryej urdhëresat e Tij dhe ruaj kufijtë e Tij.