Select Page

(Ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë), që Allahu i lejoi të ngrihen, e të përmendet emri i Tij. Në to lavdërohet emri i Tij mëngjes e mbrëmje.“ – Allahu adhurohet në këto shtëpi madhështore e të nderuara, që janë vendet më të dashura për Të. Ato janë xhamitë, që Allahu ka urdhëruar të ngrihen, me qëllim që në to: “… të përmendet emri i Tij dhe t’i bëhet tesbih Atij mëngjes e mbrëmje.”

Këtu përmblidhen disa norma për xhamitë: si ndërtimi i tyre, pastrimi dhe përkujdesi për to, ruajtja e tyre nga papastërtitë e gjërat e ndaluara, ruajtja nga të marrët dhe fëmijët që nuk janë të ndërgjegjshëm për pastërtinë, mbrojtja nga jobesimtarët, shmangia e kotësive brenda xhamive, ngritja e zërit etj., përveç rastit kur bëhet dhikër, kur falen namazet, qofshin farze, synete a nafile, kur bëhet lexim Kur’ani, tesbih, tehlil etj., kur ka mësim, itikaf e shumë adhurime të tjera që kryhen në xhami. Kështu, ngritja e xhamive nënkupton dy forma: ngritje fizike, duke i ndërtuar dhe duke u kujdesur për to, dhe ngritja e tyre me përmendjen e Zotit, përmes namazeve e adhurimeve në to.

Forma e dytë është më e rëndësishmja dhe më e mira, prandaj edhe u ligjërua namazi me xhemat dhe falja e xhumave. Madje, për shumë dijetarë, namazi me xhemat është detyrë, ndërsa për disa të tjerë është i pëlqyeshëm. Në vijim, Allahu i Madhëruar i lëvdon ata që i ndërtojnë këto xhami me adhurime e: “… që të përmendet emri i Tij dhe t’i bëhet tesbih Atij mëngjes e mbrëmje.” Ata e dëlirësojnë Zotin dhe i shprehin adhurimet e tyre me sinqeritet të plotë në fillim të ditës e në fund të saj. Allahu i Madhëruar i veçon këto dy kohë për vetë vlerën e lartë dhe rëndësinë e veçantë të adhurimeve në këtë kohë, por edhe për një shkak tjetër. Në këto kohë mundësohet më mirë afrimi tek Zoti përmes adhurimeve. Ato janë kohët më të përshtatshme e më të lehta për adhurim. Po këtu futet tesbihu i namazeve e jashtë tyre. Gjithashtu, në këto kohë janë caktuar edhe dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes.