– “Xheneti që u është premtuar të devotshmëve është si një kopsht i bukur, nëpër të cilin rrjedhin lumenj, ku ushqimi dhe hija janë të përhershme.“ – Duke shpresuar këtë Xhenet, besimtarët u largohen atyre gjërave që Zoti dhe Profeti i Tij kanë ndaluar, si dhe i përkushtohen zbatimit të urdhëresave. I Lartësuari Bujar e përshkruan Xhenetin duke thënë: “… është si një kopsht i bukur, nëpër të cilin rrjedhin lumenj, ku ushqimi dhe hija janë të përhershme.”
Lumenjtë e Xhenetit janë prej mjalti, prej pijesh të këndshme, prej qumështi dhe uji të kristaltë. Këto lumenj rrjedhin gjithmonë dhe nuk janë të kufizuar. Me ujin e pastër të tyre vaditen kopshte të bukura dhe pemë të hijshme me fruta të shijshme. Zoti thotë: “…ushqimi dhe hija janë të përhershme.” Shijet dhe kënaqësia që ato falin janë të vazhdueshme. Të tilla janë edhe hijet e bukura të pemëve, që mbushin me kënaqësi dhe rehatojnë këdo që rri poshtë tyre.
– “Ky do të jetë fundi i lumtur i atyre që janë të devotshëm, …“ – Ky është përfundimi i atyre që besojnë dhe adhurojnë Zotin përmes ligjeve të Tij: pikërisht këto vendbanime të bukura. Ndërsa përfundimi i mohuesve është ndryshe:
– “… ndërsa fundi i jobesimtarëve do të jetë Zjarri.“ – Sa ndryshim të madh ka mes dy grupeve, sepse të tillë janë edhe në këtë jetë, me veprat dhe fjalët e tyre. Kështu do të jetë edhe shpërblimi i tyre, në këtë botë dhe në tjetrën.