Select Page

Është Ai, që me mirësinë e Tij na vendosi në Shtëpinë e përjetshme, …Na vendosi për të qenë përjetësisht në këtë vend të mrekullueshëm e jo për t’u larguar prej tij. Allahu e quajti atë vend me një emërtim shumë të bukur: “Dar el Mukameti” – Vendqëndrimi i Përjetshëm dhe një vend ku çdokush dëshiron që të qëndrojë e jetojë përgjithmonë, për shkak të mirësive të shumta që ndodhen dhe shijohen në të. Ajo quhet kështu, sepse mirësitë dhe kënaqësitë atje janë të shumta e të vazhdueshme.

Atje nuk ka asgjë që mund të sjellë shqetësim e pakënaqësi, prandaj çdokush e synon atë vend. Pa dyshim që Ai që i vendosi në këtë vend të mrekullueshëm është Allahu i Madhëruar, që dhuron nga mirësia dhe bujaria e Tij. Nuk janë veprat tona – thonë banorët e Xhenetit – ato me të cilat ne hymë në Xhenet, por është mëshira dhe bujaria e Allahut që na i dhuroi. Nëse nuk do të na fuste në mëshirën e Tij dhe nuk do të na dhuronte nga bujaria e Tij, kurrë nuk do të mund ta arrinim këtë kënaqësi.

… ku nuk do të kemi asnjë mundim dhe ku nuk do të kemi asnjë lodhje.Lodhja nuk i kap as në trupat, as në zemrat e as në shpritrat e tyre, por ata janë plot gjallëri dhe jetë, plot kënaqësi e lumturi. Kjo tregon se Allahu i bën trupat e tyre të plotë dhe të përkryer, aq sa ata ndiejnë kënaqësi dhe rehati në çdo çast dhe kurrë nuk e ndiejnë lodhjen apo zbehjen e kënaqësive.

Gjithmonë janë të mbushur me dëshira e kënaqësi, gjallëri e jetë dhe kalojnë nga një kënaqësi në tjetrën. Kjo tregon se ata nuk flenë në Xhenet, sepse qëllimi i gjumit është çlodhja dhe përtëritja e fuqive, por banorët e Xhenetit nuk lodhen dhe nuk kanë nevojë që të flenë për t’u çlodhur. Gjithashtu, gjumi është quajtur si vdekja e vogël dhe banorët e Xhenetit nuk vdesin kurrë. Allahu na bëftë prej tyre, me mirësinë dhe bujarinë e Tij!