– “Ne do të ta përforcojmë krahun me vëllanë tënd dhe të dyve do t’ju japim fuqi, që ata të mos ju afrohen …” – Pra, do të të mbështesim nëpërmjet tij. Pastaj Allahu e qetësoi Musain edhe në lidhje me çështjen e pambyllur të vrasjes, duke i thënë: “Ne do të ta përforcojmë krahun me vëllanë tënd dhe të dyve do t’ju japim fuqi, që ata të mos ju afrohen (e t’ju lëndojnë). Pra, do t’ju japim fuqi e autoritet gjatë komunikimit me Faraonin. Kështu, armiku nuk do të guxojë t’ju afrohet.
– “Me shenjat Tona, ju të dy dhe ata që ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë.” – Kjo do të ndodhë për shkak të shenjave madhështore që Zoti do t’u japë. Ato shenja tregojnë qartë të vërtetën dhe lënë gjurmë të forta në zemrat e atyre që i dëshmojnë. Nëpërmjet këtyre shenjave, Zoti do të largojë prej jush kurthet e armikut. Ato do të jenë për ju mbrojtëse dhe mbështetje më e madhe sesa një ushtri e armatosur rëndë: “Me shenjat Tona, ju të dy dhe ata që ju pasojnë, do të jeni ngadhënjimtarë”.
Ky premtim i jepej Musait në një kohë që ishte fill i vetëm e pa asnjë mbështetje në dukje, e pikërisht kur kthehej në vendin e tij, pas një largimi të gjatë. Por ngjarjet ndryshuan hap pas hapi, derisa Allahu e realizoi atë që i premtoi Musait. Ai i bëri vend Musait mes njerëzve, ndërsa në fund, atij e popullit të tij të dobët, ju dha pushtet në tokë. Kështu, Musai shkoi tek Faraoni me mesazhin e Zotit të tij.