– “A mos vallë, ata u krijuan prej asgjëje, apo ata vetë janë krijues?! – Ky është një arsyetim, para së cilit atyre nuk u mbetet veçse t’i nënshtrohen të vërtetës dhe ta pranojnë atë, ose, në të kundërt, do t’u duhet të kundërshtojnë logjikën e shëndoshë dhe besimin e drejtë.
Ata e mohojnë njësimin e Zotit, profetët e Zotit dhe shpalljet e Tij. Kjo do të thotë që ata e mohojnë faktin se është Allahu Ai që i ka krijuar. Megjithatë, qoftë nga ana logjike, ashtu edhe nga ana fetare, për pyetjen e shtruar ekzistojnë vetëm tri mundësi përgjigjeje:
1. Ata janë krijuar nga hiçi, pra, pa pasur një krijues, por kjo është e pamundur.
2. Ata janë krijues të vetvetes. Por edhe kjo është po aq e pamundur. Duke qenë se të dyja këto mundësi janë të papranueshme, atëherë mbetet mundësia e tretë:
3. Është Allahu Ai që i krijoi ata dhe gjithçka tjetër. Atëherë, nëse arrihet në këtë përfundim, kjo do të thotë që Allahu të konsiderohet si i vetmi që meriton adhurimin e krijesave, nënshtrimin dhe përkushtimin e tyre. Adhurimi nuk lejohet t’i kushtohet askujt tjetër veç Tij.