Allahu i Madhëruar në këto ajete, na tregon se sa të pafuqishëm dhe të dobët janë idhujt e idhujtarët. Ata nuk zotërojnë asnjë cilësi e përshkrim hyjnor, që të meritojnë adhurimin e krijesave. Allahu është i vetmi që meriton adhurimin e tyre. Le të mendojë njeriu në kotësinë e adhurimeve kushtuar atyre idhujve të dobët dhe të varfër. Thotë i Madhëruari:
– “Thuaj: “A ka prej idhujve tuaj ndonjë që ta fillojë krijimin e pastaj ta rikthejë atë?”.” – Allahu i Lartësuar është i vetmi që e nis krijimin nga hiçi dhe ka fuqi e pushtet për ta rikthyer atë krijim sikurse e nisi. Askush nuk e ka këtë pushtet. Pikërisht këtë të vërtetë synon të përhapë kjo fjali pyetëse, së cilës i dihet përgjigjja. E si mundet që krijesat të bëjnë diçka të tillë? Ato janë shumë të dobëta dhe të pafuqishme. Prandaj natyrshëm vjen përgjigjja nga çdokush me natyrë të pastër dhe mendje të shëndoshë. Allahu i Madhëruar thotë:
– “Thuaj: “Allahu e nis krijimin dhe sërish e rikthen atë. Atëherë, si i largoheni së vërtetës?” – Allahu i Madhëruar e bën këtë pa pasur nevojë për ndihmëtarë apo partnerë. Atëherë, si devijoni rrugë dhe i largoheni adhurimit të të vetmit që e meriton atë, të vetmit që e fillon krijimin dhe ka fuqinë ta rikthejë atë?! Si mundet që ta lini adhurimin e të Plotpushtetshmit dhe të adhuroni ata që nuk mund të krijojnë gjë dhe që vetë janë të krijuar.