Select Page

Ne i kemi caktuar çdo populli vendin e kurbaneve, që ta përmendin emrin e Allahut, që i furnizoi me kafshë. – Për të gjithë popujt e shkuar kemi bërë një vend adhurimi e kurbanesh, prandaj nxitoni dhe garoni në punë të mira! Allahu i Madhëruar i bëri këto vende adhurimi, me qëllim që besimtarët ta kujtojnë dhe ta adhurojnë Atë, si edhe që t’i shprehin Atij mirënjohjen. Ato u bënë që njerëzit të kujtojnë Zotin dhe që të nxisin tek ata mirënjohjen për Atë. Kjo është arsyeja që, duke përmendur urtësinë e caktimit të këtyre vendadhurimeve, Zoti thotë:

Zoti juaj është një Zot i Vetëm (që meriton të adhurohet), – Megjithëse ligjet ndryshojnë, thelbi i mesazhit të të gjitha shpalljeve ka qenë: “Zoti juaj është një Zot i Vetëm (që meriton të adhurohet)” Askush nuk e ka thyer këtë themel të pandryshueshëm. Allahu është i vetmi i adhuruar me meritë. Të gjitha adhurimet i duhen përkushtuar vetëm Allahut e askujt tjetër. Duhet hequr dorë nga çdo lloj idhujtarie, prandaj Allahu i Madhëruar thotë:

… ndaj vetëm Atij dorëzojuni! – Vetëm Atij nënshtrojuni dhe vetëm Atij dorëzojuni, dhe askujt tjetër! Vetëm duke iu dorëzuar Atij, për të jetuar sipas Islamit, njeriu ka gjetur rrugën drejt vendit të paqes. Ata që e bëjnë këtë meritojnë përgëzimet dhe lajmin e mirë nga Zoti:

Dhe përgëzoji të bindurit! – Përgëzoji “të bindurit” me të gjithë të mirat në të dyja jetët. El muħbit quhet ai që i është nënshtruar Zotit të tij, që i është dorëzuar urdhrave të Tij dhe është modest dhe i dashur me njerëzit dhe robërit e Zotit.