– ”Kujtojeni atë që lexohet në shtëpitë tuaja nga ajetet e Allahut dhe urtësisë (traditës profetike dhe dispozitat e fesë)!” – Shprehja “ajetet e Allahut” përshin Kur’anin, ndërsa “urtësinë” nënkupton fshehtësitë e Librit të Zotit dhe traditën e Profetit. Kështu, Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar gratë që të kujtojnë ajetet e Kur’anit, dhe ky urdhër përfshin qoftë leximin e ajeteve, qoftë meditimin dhe kuptimin e këtyre ajeteve. Ato duhet të lexojnë ajetet e Kur’anit dhe Sunetit, duhet të meditojnë dhe të nxjerin mësimet prej tyre, të përfitojnë dhe të nxjerrin ligjet e urtësitë, si edhe të punojnë sipas diturisë që përfitojnë dhe ta jetësojnë atë që e lexojnë.
– ”Me të vërtetë, Allahu është shumë i Mëshirshëm dhe i Gjithëditur.” – Allahu di çdo hollësi të çështjeve dhe të fshehtat e gjokseve, fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës. Ai i sheh të gjitha veprat, si ato që bëhen haptazi dhe ato që bëhen fshehtazi. Përmendja e emrit të Tij Latif, njëri nga kuptimet e të cilit është “i Gjithëdituri për të gjitha të fshehtat”, është një nxitës për të qenë i sinqertë dhe për fshehjen e veprave të mira, për arsye se është Allahu që i sheh dhe që do të shpërblejë për to. Ndër kuptimet e emrit El-Latif është edhe ajo që Allahu e ndihmon dhe e drejton robin e Tij drejt mirësive dhe e mbron prej ligësive përmes mënyrave të fshehta, që robi as që i ndien dhe kupton. Allahu i Lartësuar ia sjell robit të mirat andej nga ai nuk e di dhe nuk e pret, pa asnjë mund e lodhje. Madje, ndonjëherë, nga rrugë që mund të jenë të urryera për nefsin, Ai e ngre robin në grada të larta të Xhenetit.