– “Ditën kur jobesimtarët të përballen me Zjarrin, …” – Allahu i Madhëruar na njofton për gjendjen e tmerrshme dhe të shëmtuar të qafirëve kur përballen me Zjarrin dhe dënimin, të cilin nuk e besonin se do të ndodhte dhe madje talleshin me ata që i këshillonin për t’u ruajtur prej tij. Atyre do t’u shtohet dëshpërimi dhe dhimbja kur t’u thuhet:
– “do t’u thuhet: “A nuk është ky (Zjarr që po shihni) i vërtetë?!”” – Kuptimi: Si ju duket ky dënim, të cilin e merrnit për tallje? A e besoni tani, që e shihni dhe e vuani me gjithë qenien tuaj?!
– “Ata do të thonë: “Po, për Zotin tonë!”” – Kështu i pranojnë ata gjynahet dhe krimet e tyre. Kështu del në pah edhe mashtrimi i tyre. Atëherë u thuhet:
– “Atëherë do t’u thuhet: “Vuani dënimin që e merituat për shkak të mohimit tuaj!”” – Ky ndëshkim nuk do t’ju ndahet kurrë. Ashtu sikurse mohimi juaj i të vërtetës në jetën e dynjasë ishte i përhershëm nga ana juaj, ashtu do të jetë edhe ndëshkimi juaj në ahiret. Në vijim, Allahu i Madhëruar e porosit Profetin e Tij që të tregojë durim ndaj mundimeve dhe fyerjeve që i bëjnë mohuesit dhe armiqtë e të vërtetës, si edhe të mos reshtë së ftuari në rrugën e Tij.
Ai e porosit, gjithashtu, që të marrë shembull durimin e profetëve më të zgjedhur dhe të dalluar, të krijesave më të përkryera dhe më të mira.