Select Page

– “Ai nuk nxiste për të ushqyer të varfërit.” – Gjithashtu, ai nuk kishte pikë dhembshurie në zemër, që të mëshironte të varfërit dhe nevojtarët. Jo vetëm që nuk i ushqente dhe ndihmonte ata me pasurinë e tij, por nuk nxiste as të tjerët ta bënin këtë gjë. E çfarë mund t’i bëjë këto zemra që të ndiejnë butësi dhe mëshirë, kur ato janë bosh nga të tilla ndjenja njerëzore?! Këta janë njerëzit më fatkeqë dhe më të dëshpëruar që mund të ekzistojnë. Lumturia e njeriut është e kushtëzuar nga dy gjëra.

Në varësi të plotësimit të tyre, do të jetë edhe lumturia e njeriut. Së pari: sinqeriteti në adhurimin e Allahut të Lartësuar, baza e të cilit është besimi i plotë dhe i saktë në Zotin, në profetët dhe në shpalljet e Zotit. Së dyti: bamirësia ndaj krijesave, me të gjitha llojet dhe mënyrat e saj. Pa dyshim, bamirësia më e madhe ndërnjerëzore është plotësimi i kushteve të nevojtarëve në të gjitha aspektet e jetës: në ushqim, veshmbathje, strehim, siguri, paqe etj. Por ata fatzinj nuk pranuan as sinqeritetin ndaj Krijuesi dhe as bamirësinë ndaj krijesave, prandaj e merituan atë që morën.