– ”Ai ju jep nga gjithçka që kërkoni.” – Allahu ju dha gjithçka që dëshironi dhe ju nevojitet. Për këto nevoja, ju i jeni lutur Allahut me gjuhën e fjalëve dhe me gjuhën e gjendjes tuaj, dhe Ai, me bujarinë e Vet, jua ka plotësuar lutjet për nevojat e kësaj jete.
– ”Edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i numëroni ato.” – Ju as që nuk mund t’i numëroni dhe përkufizoni të mirat e Allahut, e jo më t’i jepni hakun mirënjohjes ndaj Tij.
– ”Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë mosmirënjohës.” – E tillë është natyra dhe prirjet e njeriut. Ai është i prirur drejt padrejtësisë dhe nxiton në poshtërsi dhe mosbindje ndaj Zotit. Ai është shpërfillës dhe plot mangësi kur bëhet fjalë për të plotësuar detyrimet ndaj Zotit të Tij, mohues dhe mosmirënjohës ndaj mirësive të Allahut. Ai nuk arrin t’i shohë mirësitë e shumta të Zotit dhe as e ndien për detyrë mirënjohjen për to. I tillë është njeriu, përveç atyre që Allahu i Madhëruar i ka udhëzuar dhe i ka ndriçuar me udhëzimin e Tij.
Ata tregohen mirënjohës për mirësitë e Allahut, e njohin mirë hakun e Tij dhe përkushtohen me gjithë shpirt për ta plotësuar atë. Në këto ajete përmenden shumë mirësi të Allahut të Lartësuar, prandaj Ai i fton robërit e Tij që të përkushtohen sinqerisht për të qenë falënderues dhe mirënjohës. Allahu i Madhëruar i nxit adhuruesit që të kujtojnë vazhdimisht mirësitë e Tij dhe i mëson që t’i luten Atij natën dhe ditën, për të përfituar nga begatia dhe bujaria e Tij. Ashtu sikurse mirësitë e Zotit përsëriten dhe vijnë pandërprerë në të gjitha kohët, ashtu le të përsëriten dhe të shtohen edhe lutjet e robërve dhe mirënjohja e tyre ndaj mirësive të Tij.