Select Page

– “Thuaj: “Gjërat që ka ndaluar Zoti janë veprat e turpshme …” – Allahu bëri të ndaluara gjynahet e mëdha, veprat e shëmtuara, të cilat çdo natyrë e pastër i konsideron të tilla, sikurse është zinaja, homoseksualiteti e të tjera të ngjashme.

– “… qofshin ato të hapura ose të fshehta …” – Qofshin gjynahe që kryhen me gjymtyrë dhe janë të dukshme, qofshin gjynahe që bëhen me zemër, si arroganca, vetëkënaqësia, syfaqësia, hipokrizia etj. 

– “… gjynahet, shkelja e kufijve (të Tij) dhe padrejtësitë …” – Gjynah janë ato vepra të këqija që cenojnë detyrimet ndaj Allahut të Lartësuar dhe, si të tilla, e rëndojnë vepruesin e tyre dhe e bëjnë që të meritojë ndëshkimin. Kurse ‘el bag’ju’ – dhunimi, është shkelja e të drejtave të njerëzve, është dhunimi i jetës, pasurisë dhe nderit të tyre. Kështu, Allahu i Lartësuar na ndalon nga të gjitha llojet e gjynaheve dhe padrejtësive, qofshin ato ndaj Allahut të Lartësuar, qofshin ndaj krijesave.

– “… t’i bësh shokë Allahut, pa pasur asnjë argument të shpallur …” – Për teuhidin ose monoteizmin ka argumente të shumta prej Zotit. Nga ana tjetër, shirku është të adhurosh diçka tjetër së bashku me Allahun, dhe kjo vepër është e ndaluar kategorikisht. Madje, në këtë ndalesë hyn edhe shirku i vogël, ku futen vepra si: hipokrizia, syfaqësia, betimi në diçka tjetër veç Allahut etj. Me fjalë të tjera, Allahu i Madhëruar na ndalon nga çdo lloj shirku dhe urdhëron për teuhid të pastër.

– “… dhe të thuash gjëra për Allahun për të cilat s’ke asnjë dijeni.” – Muslimani e ka të ndaluar që të flasë për diçka për të cilën nuk ka njohuri. Ndalesa është shumë më e fortë kur bëhet fjalë për Allahun e Lartësuar, për emrat, cilësitë dhe veprat e Tij, si dhe për ligjin e Tij. Askush nuk duhet të flasë në lidhje me Zotin dhe fenë e Tij pa dituri dhe pa argumente të sigurta nga Ai.  Të gjitha sa u përmendën më sipër janë vepra të ndaluara, të cilat Allahu i Lartësuar i ka bërë haram.

Allahu i Lartësuar i ka ndaluar robërit e Tij që të bëjnë të tilla vepra, për shkak të dëmeve të mëdha individuale dhe kolektive që ato shkaktojnë. Ato janë vepra të ndërtuara mbi padrejtësinë, paturpësinë dhe mosrespektimin e madhështisë së Allahut, nga njëra anë, dhe padrejtësinë e armiqësinë ndaj krijesave, nga ana tjetër. Ato janë vepra të cilat çojnë në ndryshimin dhe tjetërsimin e fesë së Zotit dhe ligjeve të Tij.