“Por Allahu kurrë nuk do t’i dënonte ata, përderisa ti (o Muhammed) je në mesin e tyre …” – Prania e Muhamedit (a.s)mes tyre ishte një garanci për ta se nuk do të përfshiheshin nga një ndëshkim i menjëhershëm, që, në fund të fundit, ata po e meritonin, me atë padrejtësi, injorancë dhe arrogancë që po tregonin.
Megjithatë, edhe pse ata shprehnin të tilla fjalë haptazi, për të treguar se ishin të justifikuar në ndjekjen e rrugës së humbur, që e kishin zgjedhur me vetëdije, ata përsëri në vetvete kërkonin falje dhe i luteshin Allahut për të mos i ndëshkuar, sepse Allahu i Lartësuar thotë më pas:
– “… dhe Allahu kurrë nuk do t’i dënonte ata nëse kërkojnë falje (për gjynahet e tyre).” – Ata përsëri kishin frikë se mos i përfshinte ndëshkimi i Allahut të Lartësuar, prandaj kërkonin falje për të tilla fjalë, që i thoshin haptazi, por që në vetvete e ndjenin padrejtësinë dhe injorancën që po tregonin. Ajeti tregon se kërkimi i faljes në mënyrë të vazhdueshme është një pengesë e ndëshkimit, edhe pse faktorët e zbritjes së ndëshkimit mund të jenë plotësuar.