Select Page

  Ata nuk iu bindën Lutit (a.s.) kur ai i ftoi që të adhuronin Allahun si Një, të Vetëm dhe të Pashoq. Ai i ndaloi nga idhujtaria dhe ajo vepra e shëmtuar, që askush para tyre, në gjithë botën, nuk e kishte bërë, por ata vazhduan me paturpësi në rrugën e tyre. Madje, ata tentuan të poshtëronin me aktet e tyre të turpshme edhe melekët e Zotit, që shkuan te profeti Lut (a.s.).

Të mallkuarit u grumbulluan me nxitim te shtëpia e profetit Lut, me synimin që të vepronin me dy miqtë e tij poshtërsitë e tyre, të pashembullta në botë. Allahu i Lartësuar na sqaron se ata këmbëngulën që Luti (a.s.) t’ua dorëzonte dy miqtë, që kishin ardhur si dy burra me mision nga Zoti. Por Allahu i Madhëruar urdhëroi Xhibrilin (a.s.), i cili ua pengoi vështrimin me krahët e Tij. Pas kësaj, profeti Lut (a.s.) i paralajmëroi për ndëshkimin e ashpër të Allahut, por ata dyshuan në vërtetësinë e këtij paralajmërimi.

Atëherë, Allahu i Madhëruar dërgoi mbi ta një furtunë me gurë. Allahu i Madhëruar ua përmbysi vendbanimet, duke ua kthyer pjesën e poshtme sipër tyre, dhe më pas i goditi nga sipër me gurë prej llave të ngurtësuar e të nxehtë, të caktuar që të godisnin çdo mohues e zullumqar. Ndërsa Lutin dhe familjen e Tij, Allahu i Madhëruar i shpëtoi nga ky ndëshkim, si shpërblim për mirënjohjen e tyre dhe për adhurimin e përkushtuar vetëm ndaj Tij, duke e adhuruar si Një, të Vetëm e të Pashoq.