Select Page

O ju njerëz! Kijeni frikë Zotin tuaj …Allahu i Madhëruar i urdhëron njerëzit për takua, pra, që të ruhen e të mbrohen nga zemërimi dhe dënimi i Tij. Kjo bëhet e mundur veçse duke përmbushur urdhëresat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar i paralajmëron dhe u kujton Ditën e Kijametit, atë ditë të vështirë dhe të madhe, kur çdo njeriu do t’i interesojë veçse vetvetja dhe nuk do të pyesë për asnjë tjetër në botë. Allahu i Lartësuar thotë:

– “… dhe kijeni frikë atë ditë kur prindi nuk do të mund t’i bëjë asnjë dobi fëmijës së vet dhe as fëmija nuk mund t’i bëjë dobi prindit të vet. Asnjë rob nuk ka mundësi që t’ia shtojë të mirat dhe as të ia pakësojë të këqijat tjetrit. Çdo robi i është përmbyllur llogaria e veprave të tij dhe tashmë është bërë gati shpërblimi i tij. Nëse robi e kujton dhe e përfytyron vazhdimisht atë ditë, kjo do t’ia lehtësojë arritjen e gradës së takua-së, pra, që të ruajë veten nga zemërimi dhe dënimi i Zotit, duke zbatuar urdhëresat dhe lënë ndalesat.

Kjo sigurisht që është nga mëshira e Allahut për njerëzit. Ai fillimisht i urdhëron për devotshmëri ndaj Tij, gjë e cila u mundëson lumturinë, pasi Ai premton se do t’u japë shumë shpërblime. Në të njëjtën kohë, Allahu i kërcënon me dënim, duke u kujtuar ditën e frikshme të llogarisë, që t’ua bëjë më të lehtë realizimin dhe arritjen e gradës së devotshmërisë. Ty të qofshin të gjitha lavdërimet, o Zoti i botëve!

Premtimi i Allahut është i vërtetë, prandaj mos lejoni që t’ju mashrojë jeta e kësaj bote … Kurrë mos dyshoni në këtë fakt dhe mos u bëni si ata të cilët nuk e besojnë këtë premtim. Mos lejoni që t’ju mashrojë jeta e kësaj bote dhe mos lejoni që Kryemashtruesi (shejtani) t’ju largojë nga Allahu (me mashtrimet e tij). Mos u mashtroni nga kjo jetë, megjithë stolitë e zbukurimet e saj, megjithë sprovat dhe kurthet e saj.

”… dhe mos lejoni që Kryemashtruesi (shejtani) t’ju largojë nga Allahu (me mashtrimet e tij). Mos u mashtroni  nga shejtani i mallkuar, i cili vazhdimisht punon që të mashtrojë njeriun dhe nuk rresht asnjë çast. Njerëzit duhet të plotësojnë hakun e Zotit, i Cili ka premtuar se do t’i shpërblejë sipas veprave të tyre. Por a e përmbushin njerëzit hakun e Tij apo jo? Kjo është një çështje që njeriu duhet të përkushtohet seriozisht për realizimin e saj.

Madje, ky duhet të jetë qëllimi i jetës së tij dhe gjëja më e rëndësishme që ai duhet të plotësojë. Le ta mësojë njeriu se ndër pengesat më të mëdha në këtë rrugë është kjo botë e zbukuruar dhe mashtruese, si edhe shejtani i mallkuar, që gjithmonë e cyt njeriun dhe e mbush me ëndrra të kota e mashtrime. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar na tërheq vëmendjen që të mos na mashtrojë kjo dynja e që shejtani i mallkuar të mos na tërheqë në rrugën e tij, sikurse thotë në një ajet tjetër kuranor: “Shejtani u premton atyre dhe i bën të shpresojnë (kotësira). Por shejtani premton veçse mashtrime.” [Nisa 120].