– “Ata që sjellin të vërtetën (nga Zoti) dhe e besojnë atë (me bindje të plotë), pikërisht ata janë të devotshmit.“ – Pas atyre që trillojnë gënjeshtra për Allahun e Madhëruar dhe refuzojnë të vërtetën, përmenden ata që thonë të vërtetën dhe e besojnë sinqerisht Shpalljen e Zotit të tyre dhe shpërblimet e shumta që ka përgatitur për ta. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që e sjellin të vërtetën (nga Zoti) dhe e besojnë atë (me bindje të plotë)…”. Këtu bëhet fjalë për ata që janë të vërtetë në fjalët dhe punët që bëjnë.
Këtu përfshihen profetët dhe ata që kryejnë misionin e tyre. Të gjithë këta thonë të vërtetën rreth Zotit, lajmeve dhe ligjeve të Tij. Këta janë të sinqertë dhe e vërtetojnë besimin dhe fjalët e tyre nëpërmjet veprave të sinqerta dhe të sakta. Pastaj thuhet: “… dhe e besojnë atë”, pra, e pranojnë si të vërtetë dhe e dëshmojnë vërtetësinë e saj, sepse mund të ndodhë që njeriu të thotë të vërtetën, por nuk e beson atë, për shkak të arrogancës ose urrejtjes që mund të ketë për vetë të vërtetën ose për atë që e thotë këtë të vërtetë.
Kështu, duhen përmendur të dyja këto cilësi, në mënyrë që lëvdimi të jetë i plotë. Domethënë, këta jo vetëm që e përcjellin të vërtetën, por edhe e besojnë, e pohojnë dhe pranojnë në zemrat e tyre. Thënia e të vërtetës tregon për diturinë dhe drejtësinë e tyre, ndërsa pranimi dhe pohimi i së vërtetës tregon për thjeshtësinë dhe pastërtinë e tyre nga kryelartësia e arroganca. Këtyre që u janë dhënë të dyja këto cilësi “… pikërisht këta janë të devotshmit.” Në fakt, të gjitha cilësitë e takua-së kanë lidhje me këto dy cilësi: Thënia e së vërtetës, besimi dhe pranimi i saj, shoqëruar me punë të sinqerta sipas këtij besimi.