Për shkak të ndodhisë me bijtë e Ademit a.s, kur vëllai vrau vëllanë, duke lënë kështu një traditë të keqe për ata që do të vinin pas tyre, si dhe për shkak se përfundimi i vrasjes është i tmerrshëm si në dynja, edhe në ahiret, Allahu i Lartësuar vendosi ligje. Në librat e Tij, Ai vendosi se: “…kush vret një njeri që s’ka vrarë kënd dhe s’ka bërë shkatërrim në tokë, është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin.
Dhe nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar gjithë njerëzimin.” Vrasja nuk duhet të ndodhë kurrë, përveç rasteve që ka përcaktuar drejtësia e Allahut të Lartësuar. Ai që vret jashtë këtyre kufijve, nuk ka asnjë justifikim të pranueshëm te Zoti i tij për këtë krim.
Kur dikush vritet pa të drejtë, nuk ka asnjë ndryshim mes viktimës dhe çdo njeriu tjetër në botë. Ai që vret një njeri do ta bënte këtë me të gjithë botën, prandaj konsiderohet sikur të kishte vrarë të gjithë njerëzit. Po kështu, ai që bëhet shkak që të shpëtojë dhe të jetojë një njeri, ose që nuk e vret, por, nga frika ndaj Zotit, e lë të jetojë, edhe nëse nefsi i thotë të kundërtën, pra, ky konsiderohet sikur i ka shpëtuar nga vdekja dhe i ka dhënë jetë të gjithë njerëzimit. Ajeti tregon se vrasja lejohet në dy raste:
1. Kur dikush kryen vrasje të padrejtë me paramendim, ai meriton ndëshkimin me vrasje, nëse është i përgjegjshëm ligjërisht, i barabartë në status me viktimën 34 dhe nëse nuk është prindi i viktimës 35 .
2. Kur personi është përhapës i shkatërrimit në tokë, që kërcënon besimin, jetën dhe pasurinë e të tjerëve, ai vritet ose dënohet me vdekje. Të tillë mund të jenë qafirët e ndryshëm, renegatët e fesë, bidatçinjtë që përhapin bidatin e tyre, e keqja e të cilëve mund të ndalet veçse me luftimin dhe me vrasjen e tyre. Po kështu trajtohen edhe banditët e rrugëve, që kërcënojnë jetën, pasurinë dhe nderin e njerëzve.
Profetët sollën argumente të qarta nga Zoti i tyre, argumente që nuk të linin asnjë hapësirë për justifikim para Zotit, por shumica e njerëzve, edhe pas këtij qartësimi të prerë, që e bën të detyrueshëm përqendrimin në rrugën e drejtë, e teprojnë në tokë me gjynahe dhe me mosbindje ndaj porosive të Zotit dhe profetëve.
34 Kështu, besimtari nuk vritet për qafirin.
35 Kështu, babai ose nëna nuk ndëshkohen me vdekje, nëse kanë vrarë fëmijën e tyre.