Duke na tërhequr vërejtjen e duke na paralajmëruar, Allahu i Madhëruar thotë:
– “E kush është më i padrejtë (e keqbërës) se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut …“ – Mashtrimi kundër Allahut mund të bëhet me shumë mënyra. Kështu, për shembull, ta përshkruash dhe emërtosh Allahun me një atribut që nuk i shkon madhështisë së Tij, ose të pretendosh profetësinë, ose të trillosh rregulla e ligje nga vetja duke mëtuar se është Allahu që i ka thënë e kumtuar ato, ose të gënjesh duke thënë se Zoti ka dhënë këtë dhe atë gjykim.
Kjo i ngjan ajetit: “Thuaj: “Gjërat që ka ndaluar Zoti janë veprat e turpshme, qofshin ato të hapura ose të fshehta, gjynahet, shkelja e kufijve (të Tij) dhe padrejtësitë; t’i bësh shokë Allahut, pa pasur asnjë argument të shpallur dhe të thuash gjëra për Allahun për të cilat s’ke asnjë dijeni.” [A’raf 33]. Nëse robi e bën këtë nga padituria, është e dënueshme dhe e shëmtuar, por nëse e bën me vetëdije, atëherë është shumë e shumë herë më e shëmtuar dhe e dënueshme.
– “… dhe kur i erdhi e vërteta (Kur’ani), e quajti gënjeshtër?“ – Nuk ka më të padrejtë sesa ai të cilit i vjen e vërteta e përforcuar me argumente dhe fakte të shumta dhe ai sërish e konsideron gënjeshtër. Vetëm kjo do të ishte një padrejtësi shumë e madhe, sepse ai e refuzon të vërtetën edhe pasi i bëhet e qartë. Duke bashkuar këtë me trillimin e gënjeshtrave për Allahun, padrejtësia bëhet e pashembullt.
– “A nuk është në Xhehenem vendbanimi i merituar për jobesimtarët?“ – Vetëm duke i futur ata në Xhehenem vendoset drejtësia. Atje Zoti do të vërë në vend çdo të drejtë dhe detyrim që kanë shkelur mohuesit dhe zullumqarët. Shirku është padrejtësia më e madhe dhe vetëm në Xhehenem do të vendoset drejtësia e shkelur nga këta keqbërës.