– “Ky është premtimi për çdo të penduar (nga gjynahet) që ka pëmbushur (besnikërisht) detyrimet, …” – Kuptimi: Xheneti, që po e shihni tashmë kaq pranë, me bukuritë që i pëlqen shpirti e syri, është ai që Zoti premtoi për besimtarët që kanë patur disa cilësi. Së pari, ata janë penduar te Zoti i tyre në të gjitha kohët dhe gjendjet, duke i shprehur Atij dashurinë e madhe për Të, që kalon çdo lloj dashurie.
Ata e kanë shprehur pendimin e tyre duke e kujtuar Allahun me adhurime që e kënaqnin Atë, duke iu lutur Atij, të mbushur me drojë e madhërim për Ngadhënjimtarin e Plotfuqishëm dhe me shpresë të madhe për faljen dhe shpërblimin e Bujarit të Gjithëmëshirshëm. Ata kanë qenë gjithmonë të kujdesshëm në ruajtjen e kufijve të Zotit. Ata i kanë plotësuar porositë e Tij me sinqeritet dhe në formën më të plotë të mundshme. Këta besimtarë kanë patur edhe el hashjetu ose drojë, siç thotë i Lartësuari: