– ”Të humbur janë, vërtet, ata që e mohojnë takimin me Allahun. – Kanë humbur, janë dëshpëruar dhe janë privuar nga çdo mirësi ata që mohojnë takimin me Allahun. Ata vajtën në këtë përfundim, pra, në mohimin e ringjalljes dhe të takimit me Allahun, sepse patën guximin dhe paturpësinë të zhyteshin në ato gjynahe që janë shkatërruese të imanit.
– “Kur Ora (e Kijametit) t’u vijë befas, ata do të thonë: “Ah, të mjerët ne, për ato që i shpërfillëm!” – Dita e Gjykimit do t’i gjejë ata në gjendjen më të shëmtuar. Atë ditë, ata do të shfaqin dëshpërimin dhe pendimin për krimet e tyre, duke thënë: “Të mjerët ne, për atë që neglizhuam!” Porse tashmë ka përfunduar koha kur mund të pendohen. Ata do të jenë të ngarkuar me peshën e gjynaheve të tyre, siç thotë i Madhëruari:
– “Dhe në shpinë do të bartin gjynahet e veta. Sa e shëmtuar është ajo barrë që do të bartin!” – Pesha e rëndë e veprave dhe e mosbesimit të tyre i rëndon dhe nuk i lë të lëvizin. Ata do të jenë përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit, duke merituar zemërimin e Krenarit të Madhërishëm.