– “O bijtë e Ademit! Vishuni bukur për çdo namaz, …” – Mbuloni auretin në të gjitha namazet farze dhe nafile. Mbulimi i auretit e zbukuron njeriun, ashtu sikundër zbulimi i tij e shëmton atë. Ka mundësi që ajeti të flasë për më tepër sesa mbulimin e auretit, duke na nxitur që të përzgjedhim rrobat më të bukura dhe më të pastra për të falur namazin. Ajeti është njëkohësisht urdhër për mbulimin e auretit gjatë namazit, si dhe një porosi për t’u veshur bukur për faljen e namazit. Ai urdhëron për pastërti dhe për t’u larguar nga çdo gjë e ulët dhe e pisët. Pastaj i Lartësuari thotë:
– “ … hani e pini dhe mos e teproni, …” – Hani dhe pini nga mirësitë me të cilat Allahu i Lartësuar ju ka furnizuar! Por mos e teproni në këtë drejtim! Teprimi mund të bëhet në disa aspekte: ose në masë, pra, duke ngrënë e pirë tej masës së nevojshme, gjë e cila e dëmton trupin; ose në drejtim të cilësisë, në lidhje me përzgjedhjen e ushqimeve, pijes apo veshjeve; ose në drejtim të kalimit nga hallalli në haram, pra, duke i kaluar kufijtë e hallallit e duke përdorur ushqime, pije dhe veshje haram.
– “… sepse Allahu nuk i do ata që e teprojnë.” – Allahu i Lartësuar e urren të tepruarit. Teprimi e dëmton trupin e njeriut dhe jetesën e tij. Ndonjëherë, të tepruarit në shpenzime mund të pengojë plotësimin e detyrimeve dhe respektimin e të drejtave. Ky ajet na urdhëron për t’u ushqyer me masë. Urdhërimi për të ngrënë me masë të mjaftueshme duhet kuptuar njëkohësisht edhe si ndalim nga të ngrënit e tepërt, deri në atë masë sa të na dëmtojë.