– “Më ka bërë të bekuar kudo që të jem …“ – Në çdo vend dhe kohë unë do të jem i bekuar e dobiprurës. Dobia e bekimi që përmendet këtu është mësimi i së mirës, ftesa e njerëzve tek e mira, si dhe ndalesa nga e keqja. Ftesa e njerëzve në rrugën e Zotit me fjalët dhe punët e mira është nga dhuratat më të bekuara që Zoti u jep njerëzve. Kështu, çdokush që shoqërohej me Isain e mbulonte begatia dhe mbarësia. Ai vetë lumturohej me shoqërinë e Isait.
– “… dhe më ka urdhëruar për namaz dhe për zekat sa të jem gjallë.“ – Ishte porositur të përmbushte, së pari, detyrimet ndaj Zotit. Më i madhi detyrim është falja e namazit në formë të përkryer. Allahu i Madhëruar e urdhëroi gjithashtu të përmbushte detyrimet ndaj njerëzve dhe më i madhi detyrim në këtë aspekt është dhënia e zekatit. Allahu e porositi që ta bënte këtë gjë gjatë gjithë jetës së tij. Isai patjetër që do ta zbatonte këtë porosi ashtu siç e kërkonte Zoti i madhëruar.