– ”Ajo që Ne ta kemi shpallur ty nga Libri, është e vërteta, që vërtetëson çfarë është shpallur para tij (Kur’anit).” – Allahu i Madhëruar na tregon se Libri që Ai ia shpalli Profetit të Tij është vetë e vërteta, sepse të gjitha të vërtetat janë në të. Aq të shumta janë të vërtetat që përmenden në të, saqë mund të thuhet se e vërteta është e gjitha brenda tij. Allahu na njofton për këtë fakt, në mënyrë që në zemrat tona të mos ketë asnjë pasiguri dhe rëndesë në lidhje me të, por të kemi siguri të plotë rreth tij dhe të jemi të kujdesshëm, që kurrë të mos e shpërfillim atë.
Duke qenë se ai është vetë e vërteta, atëherë çdo gjë që është sjellë në të, prej çështjeve madhore dhe të fshehta, është e vërtetë. Mesazhet e tij duhet të kuptohen drejtpërdrejt dhe saktë, e jo me nënkuptime që bien ndesh me kuptimin e drejtpërdrejtë dhe të qartë të tij, sepse kështu e vërteta do të ndryshohej dhe transformohej sipas mendjes së njerëzve. Ky libër është: “…dhe vërtetues i asaj që është shpallur para tij (Kur’anit).” Kur’ani vërteton mesazhin e sjellë ndër shpalljet e para dhe besnikërinë e profetëve të tyre.
Të gjithë profetët dhe Shpalljet e Zotit kanë paralajmëruar dhe përgëzuar për këtë libër madhështor, ndaj dalja e tij është vërtetim i atyre lajmeve dhe përgëzimeve. Ky libër është tregues edhe i vërtetësisë së Shpalljeve të shkuara, pranndaj nëse dikush e mohon këtë libër, në fakt ka mohuar dhe librat e parë, që pretendon se i beson. Nuk ka mundësi që dikush t’i besojë me të vërtetë librat e shkuar, dhe pastaj të mohojë Kur’anin e Zotit. Mohimi i Kur’anit hedh poshtë pretendimin se ai beson librat e mëparshëm, sepse një ndër lajmet më të rëndësishme të sjella në ata libra është edhe shpallja e këtij Kur’ani dhe ligji të plotë e madhështor. Mesazhet dhe lajmet e librave të mëparshëm janë njëlloj si mesazhet dhe lajmet e Kur’anit.
– ”Allahu Di mirë dhe Sheh gjithçka që bëjnë robërit e Tij.” – Ai i jep çdo populli e çdo njeriu atë që i shkon për shtat atij. Kështu, ligjet e shpallura më parë ishin të vërteta dhe të përshtatshme për atë kohë dhe ato vende dhe për gjendjen e atyre popujve ku u shpallën. Allahu i Madhëruar vazhdimisht dërgoi profetë ndër njerëz, profet pas profeti, derisa e mbylli vargun e tyre me më të zgjedhurin, Muhamedin. Nëpërmjet Muhamedit solli këtë ligj të mrekullueshëm, që të jetë në dobi të njerëzve dhe që të rregullojë jetën e tyre deri në Kijamet. Vetëm nëpërmjet kësaj Shpalljeje, njerëzit do të gjejnë mirësinë e mbarësinë në çdo kohë dhe vend.