Select Page

A nuk i ke parë ti anijet se si lundrojnë (në det) prej mirësisë së Allahut?Pushteti, mëshira dhe përkujdesi i Allahut për krijesat është i madh dhe gjithëpërfshirës. Prej gjurmëve të këtij përkujdesi është edhe fakti që Ai nënshtroi detin dhe bëri që në të mund të lundrojnë anijet e mëdha. Kështu e caktoi Zoti përmes ligjit të Tij të krijimit, me mëshirën dhe përkujdesin e Tij të madh për njerëzit.

Me to, Ai ju tregon juve disa nga shenjat e (pushtetit të) Tij.Kështu, ata do të mund të përfitojnë dhe të nxjerrin mësime.

Me të vërtetë, në këto ka argumente për çdo durimtar e mirënjohës.Në fakt, janë pikërisht këta që përfitojnë nga argumentet dhe shenjat e Allahut. Këta janë durimtarë të mëdhenj në çdo vështirësi e sprovë dhe janë mirënjohës në çdo mirësi e kënaqësi që Zoti u jep. Ata janë durimtarë dhe të vazhdueshëm në bindje ndaj Allahut dhe për t’u ruajtur nga gjynahet dhe ndalesat e Tij. Ata janë durimtarë edhe në përcaktimet e Zotit për ta dhe kurrë nuk zemërohen, por e pranojnë me përunjësi caktimin e Zotit. Kështu janë mirënjohësit ndaj Zotit për mirësitë e Tij fetare dhe mirësitë e kësaj dynjaje.