Allahu i Lartësuar sjell një lajm të gëzuar për të dashurit e Tij të zgjedhur, për besimtarët e devotshëm dhe të sinqertë. Kështu, Ai kalit vullnetin e tyre dhe nxit tek ata ambicien për punë të mira dhe për bindje ndaj Tij. Kjo është, gjithashtu, një nxitje për të gjithë, që të bëhen si ata. Ai thotë:
– “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë” dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, …” – Të tillët e pranojnë me zemër, e dëshmojnë me fjalë dhe janë të kënaqur që Allahu është Zoti, Sunduesi, Pronari dhe Rregulluesi i çështjeve të krijesave. Gjithashtu, ata i nënshtrohen plotësisht urdhrit dhe vullnetit të Zotit të tyre.
Përveç kësaj, ata janë sistematikë dhe të palëkundur në ndjekjen e rrugës së drejtë. Ecja në rrugën e drejtë varet nga dy kushte: nga pasja e dijes së saktë dhe të sigurt prej Zotit dhe, së dyti, nga puna e sinqertë, në përputhje me atë dituri. Domethënë, për të tillë njerëz është lajmi i mirë në dynja dhe në ahiret, se:
– “… do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u trishtoni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! – ”Melekët zbresin tek këta të zgjedhur dhe i vizitojnë në çastet e vdekjes. Melekët iu drejtohen besimtarëve, që po presin vdekjen, me fjalët më të ëmbla e qetësuese. Ata iu thonë: “Mos kini frikë nga ajo që ju pret pas vdekjes! Mos u trishtoni nga ato që kanë kaluar!”
Kështu, ata i sigurojnë besimtarët se janë të shpëtuar nga çdo e keqe që lidhet me të shkuarën apo me të ardhmen e tyre. Më pas: “… gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar!” – pra, gëzohuni, sepse Xheneti është i sigurt për ju, duke u zbatuar kështu premtimi i Zotit për robërit e Tij besimtarë. Në vijim, duke i përgëzuar dhe qetësuar besimtarët, melekët u thonë: