Select Page

Sepse Ai (Allahu) do t’ua japë të plotë shpërblimin e tyre dhe do t’ua shtojë edhe më shumë nga mirësia e Tij. – Kjo është një tregti që kurrë nuk del me humbje. Ata shpresojnë nga shkëmbimi më i mirë: kënaqësia e Allahut me ata dhe shpërblimet e shumta dhe të panumërta të Tij, nga një anë, dhe shpëtimi nga zemërimi dhe dënimi i Atij që është i Plotpushtetshëm, nga ana tjetër. Kjo tregon se ata i bëjnë veprat e tyre me sinqeritet vetëm për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe nuk kanë ndonjë qëllim të ulët.

Pastaj Allahu i Madhëruar na tregon se ata do ta arrijnë atë që aq shumë e shpresojnë: “…që Ai t’ua japë të plotë shpërblimin e tyre.” Ai ka për t’ua dhënë të plotë dhe të pacenuar shpërblimin për veprat e tyre, në varësi të masës dhe cilësisë që kanë ato vepra. Pastaj: “…do t’ua shtojë edhe më shumë nga mirësia e Tij.” Jo vetëm që do t’ua japë të pacenuar shpërblimin, por Allahu i Madhëruar do t’ua shtojë atë edhe më shumë nga bujaria e Tij.

Me të vërtetë Ai është Falës i Madh dhe shumë Mirënjohës. – Allahu i Madhëruar ua mbulon dhe fal të këqijat dhe gabimet dhe i shpërblen për ato vepra të pakta dhe të vogla që bëjnë.