– “Për sa u përket atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i përfshijë ata në mëshirën e Vet.” – Ata që besojnë me besim të saktë të ndërtuar mbi dituri të saktë dhe të vërtetë nga Zoti dhe veç kësaj e vërtetuan sinqeritetin e besimit të tyre me punë të mira për të cilat nxit ky besim, punë të detyrueshme apo vullnetare e të pëlqyeshme, këta Zoti do t’i fusë në mëshirën e Tij, vendi i të cilës është Xheneti.
Mëshira e Zotit është në Xhenet dhe atje, të lumturit, do të përjetojnë çdo mirësi të dhuruar nga mëshira e Allahut të lavdëruar, mirësi e lumturi që do të vazhdojë e pafundme në përjetësi. Aty do të jetojnë një jetë të lumtur dhe të sigurt nga çdo e keqe e shqetësim.
– “Ky është shpëtimi më i madh.” – Kjo është fitorja, shpëtimi dhe arritja e çdo mirësije. Ai është suksesi i qartë, i dukshëm, madhështor dhe i vërtetë, sukses i cili nëse arrihet nga robi, ose më saktë, nëse i dhurohet robit, atëherë ai ka arritur çdo të mirë dhe ka shpëtuar nga çdo e keqe.