Select Page

Kështu, Ne të dërguam ty te një popull, para të cilit kanë kaluar shumë popuj tjerë, që t’u lexosh atë që Ne ta shpallëm, sepse ata janë duke e mohuar të Gjithëmëshirshmin. Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit, dhe i thotë: “Ne të dërguam në popullin tënd, për t’i ftuar ata në udhën e qartë dhe të drejtë. Edhe më parë kanë kaluar popuj, ndër të cilët kemi çuar të dërguarit Tanë. Kështu, ti nuk je diçka e pazakontë, që ata ta mohojnë dhe të çuditen nga fakti se Zoti të dërgoi ty me Shpalljen e Tij. Ti nuk u flet atyre nga vetja jote, por u lexon ajetet e Allahut të Lartësuar, të cilat Ai t’i shpalli ty.

Kjo shpallje e mrekullueshme i pastron zemrat dhe i ndriçon shpirtrat. Megjithatë, populli yt nuk beson dhe nuk dëshiron t’i jetë mirënjohës të Gjithëmëshirshmit. Mëshira e Allahut është gjithëpërfshirëse dhe ata e përjetojnë atë në çdo çast. Ndër mirësitë më të mëdha që tregojnë mëshirën e Tij mbi ta është pikërisht edhe dërgimi yt si profet dhe Shpallja e mrekullueshme, që Zoti të dhuroi. Por ata të mjerë nuk e shohin këtë mirësi, mëshirë dhe bujari të dhuruar nga Zoti dhe as tregohen mirënjohës për të, por e shpërfillin dhe e refuzojnë. Po a nuk nxjerrin mësim këta të mjerë nga sa e sa popuj të tjerë mohues, që kaluan para tyre? Allahu i Madhëruar i ndëshkoi ata për gjynahet e tyre.

Thuaj: “Ai është Zoti im. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Vetëm Atij i jam mbështetur dhe vetëm tek Ai kthehem.”. – Ky ajet është dëshmi për teuhidin në dy aspekte: uluhije 109 dhe rububije 110. Kështu, Allahu është Rabi (Zoti im), i Cili përkujdeset për mua me mirësinë dhe bujarinë e Tij që në momentin që më ka sjellë në ekzistencë. Gjithashtu, Allahu është Ilahi (i Adhuruari im) i Vetëm dhe i Pashoq. Vetëm Atij i mbështetem dhe vetëm tek Ai shpresoj në të gjitha çështjet e mia. Vetëm tek Ai kthehet zemra ime për t’ia përkushtuar të gjitha adhurimet dhe për t’iu lutur për të gjitha nevojat.

109 Përkufizimi i teuhidit uluhije: Hue ifrâdull-llâhi bil ibâdeti / Ky është njëhsimi i Allahut  të lartësuar në meritueshmërinë e adhurimit të Tij. Pra Ai  që meriton të adhurohet është vetëm Allahu i lartësuar.

110 Përkufizimi i teuhidit rububije: Hue ifrâdull-llâhi bil  ħalķi uel mulki uet-tedbîri. / Njësimi i Allahut  në aspektin  e krijimit, sundimit e mbretërimit dhe të administrimit dhe pushtetit për të vepruar në gjithësi.