Select Page

– “A nuk e dinë jobesimtarët se qiejt e Toka ishin bashkë (si një e tërë), pastaj Ne i ndamë dhe ujin e bëmë bazë të jetës së çdo gjallese?” – Allahu i Madhëruar i fton ata që e mohojnë me forcë, që t’i nënshtrohen për të adhuruar vetëm Atë me sinqeritet dhe që të meditojnë mbi faktet e shumta që Ai ka vendosur në qiej dhe në tokë. I gjithë ky krijim tregon qartë, për ata që kanë sy të shohin, se Allahu është Zoti i Lavdëruar, i Adhuruari i Vetëm. Allahu i Madhëruar u ka mundësuar njerëzve që ta shohin qiellin, i cili është si një i tërë e i mbyllur, në të cilin nuk ka asnjë re dhe nga i cili nuk duket se do të dalë shi.

Edhe tokën e ka përshkruar si “ratkan”, që do të thotë se ajo është e vdekur, e thatë, e shkretë dhe nuk duket se do të dalë bimësi prej saj. Pastaj – thotë Ai – qiellin e mbush me shi, ndërsa tokën e çan me bimësi. A nuk është Allahu Ai që nxjerr re në qiell kur ai është i kthjellët e krejt i pastër? A nuk është Zoti Ai që lëshon aq shumë shi, ku ndoshta pak më parë nuk shihej asgjë në qiell, madje ai dukej si diçka e mbyllur e vulosur, nga i cili nuk mund të dilte asgjë?!

Allahu e lëshon shiun në një tokë të vdekur e të thatë, anët e së cilës janë pluhurosur dhe ku uji është zhdukur e tharë me kohë. Kur shiu bie mbi të, toka hapet dhe gjallërohet me bimësi. Ajo mbushet me lloj-lloj bimësh në çift. A nuk tregojnë të gjitha këto se Allahu është i Vërteti dhe se çdo gjë tjetër që njerëzit adhurojnë, është e kotë? A nuk tregon kjo se Allahu i Madhëruar do t’i ringjallë të vdekurit dhe se Ai është i Gjithëmëshirshëm e Mëshirëplotë? Prandaj Ai fton te besimi i vërtetë kur thotë:

Atëherë a nuk do të besojnë?” – Nuk po kthejnë rrugë dhe të besojnë me një iman të saktë, të sigurt dhe të pastër nga shirku?