Select Page

– “Ha, Mim. Betohem në Librin e qartë. Ne e zbritëm atë në një Natë të bekuar. Ne gjithmonë kemi paralajmëruar (popujt).” – Ky është një betim në Kur’anin madhështor për të pohuar vërtetësinë po të Kur’anit. I Madhëruari betohet në këtë libër, i cili është sqaruesi i gjithçkaje që ka nevojë për t’u sqaruar, dhe na tregon se ai u shpall në një natë të bekuar, me plot mirësi të mëdha. Ajo është Nata e Kadrit, e cila është më e mira e netëve dhe më e vlefshme se një mijë muaj.

Kështu, i Madhëruari e shpalli më të mirin e librave të Tij në më të mirën e netëve dhe të ditëve, duke ia dhuruar më të mirit të krijesave, Muhamedit (a.s.), me gjuhën më të zgjedhur dhe të kulluar arabe. Ai e shpalli këtë Kur’anin që të paralajmëronte një popull të zhytur në padituri e mjerim, të humbur në dëshpërim, që ata të ndriçoheshin nga drita e tij, të merrnin jetë nga udhëzimi i tij, të ndiqnin rrugën e qartësuar prej tij, dhe kështu të arrinin mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Kur’ani u shpall që të jetë këshillues dhe paralajmërues, prandaj i Madhëruari thotë: “Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues!”