Select Page

– ”Mjerë ata që e duan më shumë jetën e kësaj bote se atë të botës tjetër …” – Këta kënaqen me jetën e kësaj bote dhe stolitë e saj. Ata gjejnë prehje në të dhe e harrojnë ditën kur do të kthehen tek i Madhërishmi. Ata shpërfillin shpalljet dhe paralajmërimet e Zotit dhe të profetëve. Ata e urrejnë të vërtetën e pamohueshme dhe, përveç vetvetes, pengojnë edhe të tjerët nga rruga e Allahut:

– ”… që i pengojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe që kërkojnë në të diçka të shtrembëruar!” – I pengojnë nga rruga që duhet të ndjekin njerëzit, nga ligji i jetës së tyre dhe mënyra e adhurimit që Zoti kërkon prej tyre. Allahu i Madhëruar e ka shtjelluar qartë në Shpalljen e Tij dhe përmes profetëve këtë rrugë, ndërsa këta të mjerë e flakin e shpërfillin atë dhe paralajmërimet e Tij.

Nuk mjaftohen me kaq, por pengojnë edhe të tjerët, duke qenë të ndezur flakë nga urrejtja për Zotin dhe për Shpalljen e Tij, që bien ndesh me dashurinë dehëse të tyre për këtë jetë dhe stolitë e saj. Kështu, ata shndërrohen në armiq të rrugës së Zotit dhe agresorë ndaj njerëzve. Ata e paraqesin të shtrembëruar dhe të urryer rrugën e Zotit, në mënyrë që të largojnë sa më shumë njerëz prej saj. Por Allahu dëshiron që ta përkryejë dhe plotësojë Dritën e Tij, edhe pse mohuesit e urrejnë këtë gjë.

– ”Ata janë në një humbje të largët.” – Këta njerëz, me të tilla cilësi, janë në humbje të qartë dhe shumë të thellë. Ata jo vetëm që humbin vetveten, por luftojnë edhe për humbjen e të tjerëve. Ata kundështojnë rrugën e Allahut dhe Profetit të Tij dhe kanë guximin dhe paturpësinë të luftojnë kundër kësaj rruge. E ku ka humbje më të madhe sesa kjo?!

Ndërsa besimtarët qëndrojnë nga krahu tjetër. Ata i besojnë Allahut dhe shpalljeve të Tij. Ata i japin përparësi ahiretit kundrejt dynjasë. Ata jo vetëm ndërtojnë e përmirësojnë vetveten sipas ligjit të Zotit, por ftojnë edhe të tjerët me durim e dituri. Ata ua zbukurojnë njerëzve rrugën e Zotit dhe ua bëjnë të qartë se ajo është rruga e drejtë.