– “Me të vërtetë, ata që e ulin zërin pranë të Dërguarit të Allahut, Allahu ua ka sprovuar zemrën për të parë devotshmërinë. Për ta ka falje gjynahesh dhe shpërblim të madh.” – Këtu Allahu i Lartësuar i lëvdon ata të cilët e ulin zërin e tyre kur janë te Profeti (a.s.). Allahu i vuri në provë zemrat e tyre, pas përfundimit të së cilës zemrat e tyre dolën të qëndrueshme dhe të denja për t’u pajisur me devotshmëri. Më pas, Allahu i Lartësuar u premton atyre falje për gjynahet dhe mangësitë e tyre, që nënkupton siguri nga çdo e keqe dhe shpërblim shumë të madh, realitetin e të cilit mund ta dijë veçse Ai, Allahu i Madhëruar.
Shpërblim i madh do të thotë arritja e gjithçkaje të dashur dhe të synuar. Ky ajet dëshmon se Allahu i Madhëruar i provon zemrat, duke i vënë përballë urdhrash që duhen zbatuar, përballë ndalesash që duan respektim, si dhe përballë fatkeqësish që duan durim, të shoqëruar me kënaqësi për caktimin e Tij. Çdokush që përqendrohet dhe i qëndron besnik përherë porosive të Allahut, synon kënaqësinë e Tij dhe garon për vepra të mira, duke u dhënë atyre përparësi kundrejt dëshirave të tij të devijuara, me të vërtetë quhet besnik dhe i denjë për t’u pajisur me takua. Në të kundërt, kuptohet se ai nuk bën për këtë gradë të lartë.