– “Kur Profeti i tregoi një sekret njërës prej grave të veta, ajo e përhapi atë. Allahu ia bëri të ditur këtë të Dërguarit të Tij, i cili i tregoi asaj vetëm për një pjesë të lajmit, duke mos i thënë gjë për pjesën tjetër. – Shumë mufesirinë janë të mendimit se këtu bëhet fjalë për Hafsën (Allahu qoftë i kënaqur me të!), së cilës Profeti (a.s.) i tregoi diçka dhe e porositi që të mos ia tregonte kujt.
Por ajo ia tregoi Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Atëherë, Allahu i Madhëruar e njoftoi Profetin (a.s.) se çfarë kishte bërë Hafsa. Kështu, Profeti (a.s.) i tha Hafsës që ajo ia kishte treguar të tjerëve (Aishes) një pjesë të lajmit. Profeti (a.s.) nuk i tha se ajo e kishte treguar të gjithë lajmin, për t’u treguar i butë me të.
– Kur ai i tha asaj se çfarë kishte ndodhur me lajmin, ajo i tha: “E kush ta tregoi ty këtë?” – Kush ta tregoi këtë fakt, që askush tjetër nuk e dinte? Përgjigjja qe:
– “Ai tha: “Ma tregoi i Gjithëdituri, Njohësi i të fshehtave!”” – Ma tregoi Allahu, të Cilit nuk mund t’i fshihet asgjë e hapur apo e fshehtë. Ai është Njohësi i të fshehtave dhe të pashprehurave.