Në ajetin e mësipërm, Allahu i Lartësuar na tregoi për madhështinë e Tij, përmes me atributet që përshkroi Veten e Tij. Kjo e bën njeriun që të lavdërojë dhe madhërojë Allahun e Lartësuar dhe ta besojë me iman të plotë dhe të sinqertë. Megjithatë, ka njerëz që nuk janë të tillë. Ai na tregon se ka njerëz që nuk e madhërojnë Allahun me madhështinë që i takon. Madje, ata e mohojnë Atë. Ata e mohojnë se Allahu ka pushtetin që të ringjallë krijesat pas vdekjes së tyre e që të sjellë Kijametin, duke kundërshtuar dhe mohuar kështu mesazhin e të gjithë profetëve. I Madhëruari thotë:
– ”Ata që nuk besojnë thonë: “Ora (e Kijametit) nuk ka për të ardhur kurrë!” – Këta janë ata që nuk besojnë Allahun, profetët e Tij dhe Shpalljen që ata sollën nga Allahu. Pikërisht për shkak të këtij mohimi, ata thonë: “Ora (e Kijametit) nuk ka për të ardhur kurrë! Ekziston thjesht kjo botë, me rregullat e saj. Ne jetojmë jetën bote, pastaj vdesim, dhe me kaq mbaron çdo gjë.
Por Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij që t’ua hedhë poshtë me prova këtë pretendim, madje t’u betohet për vërtetësinë e ringjalljes dhe për faktin se ajo do të ndodhë. Më pas, Zoti sjell një argument, që nëse robi e mendon dhe e pranon si fakt, atëherë ka për të besuar patjetër ringjalljen. Kjo është dituria e plotë dhe të gjithanshme e Zotit:
– ”Thuaj: “Po, betohem në Zotin tim. Atë patjetër do t’jua sjellë Ai që e di të fshehtën.” – Ai thotë se Kijametin dhe ringjalljen do ta sjellë i Gjithëdituri rreth të fshehtës, pra, rreth çdo gjëje që nuk e kapin shqisat apo dituria jonë. Ai është i Gjithëditur edhe për atë që shfaqet, edhe për atë që fshihet. Allahu i Madhëruar vijon të përforcojë edhe më shumë faktin se dituria e Tij është gjithëpërfshirëse, kur thotë:
– ”Atij nuk mund t’i fshihet asnjë thërrmijë në qiej e as në tokë dhe as më e vogël e as më e madhe se ajo.” – Diturisë së Tij nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në qiej e në tokë dhe as më e vogël apo më e madhe se ajo. Çdo gjë pa përjashtim, me trupat dhe me gjithë përbërësit e tyre, madje edhe grimcat më të vogla elementare përbërëse të lëndës nuk i fshihen diturisë së Zotit.
– ”Çdo gjë është shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh)”. – Dituria e Allahut ka përfshirë gjithçka dhe lapsi i Tij e ka shkruar atë. Gjithçka gjendet në Librin e qartë dhe të madh, që quhet Leuhi Mahfudh. Diturisë së Tij nuk i fshihet asnjë grimcë e madhe apo e vogël qoftë, në të gjithë kohërat. Ai i di mirë çfarë fshihet e tretet në tokë prej trupave të vdekur dhe atë që mbetet prej tyre. Ai është i Plotfuqishëm që t’i ringjallë ata, dhe kjo është më e thjeshtë për Të. Ringjallja nuk është më e çuditshme dhe madhështore se dituria e Tij gjithëpërfshirëse. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon qëllimin e ringjalljes: