– “Ai është Allahu (i vetmi i adhuruar) në qiej dhe në Tokë.” – Vetëm Allahu është i Adhuruari, i Madhëruari në qiej dhe në Tokë. Banorët e qiejve dhe të Tokës duhet të jenë adhurues të Zotit të tyre, sepse ata janë të nënshtruar dhe të përulur para madhështisë së Tij, të pafuqishëm dhe të dobët para krenarisë dhe madhërisë së Tij. Qiejt janë të mbushur me melekët e Tij. Vetëm Atë e madhërojnë melekët e afërt, profetët e dërguar, të sinqertët, dëshmorët dhe punëmirët.
– “Ai i di të gjitha fshehtësitë tuaja dhe ato që i shfaqni haptazi; Ai di gjithçka që ju veproni.” – Allahu di çfarë mbani fshehur dhe çfarë shfaqni. Ai di gjithçka që ju veproni dhe përgatisni për veten tuaj. Kini kujdes nga poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Tij dhe përpiquni maksimalisht për vepra të mira, që ju afrojnë tek Allahu dhe ju fusin në mëshirën e Tij! Kujdes dhe shumë kujdes nga punët që ju largojnë prej Tij dhe ju përjashtojnë nga mëshira e Tij!