Select Page

– “Ai krijoi shtatë qiej, palë mbi palë.” Allahu krijoi shtatë qiej njëri mbi tjetrin. Pra, qiejt janë në shtatë shtresa. Allahu i krijoi qiejt në një gradë absolute bukurie dhe saktësie.

– “Në krijimin e të Gjithëmëshirshmit nuk mund të shohësh ndonjë mospërputhje.” – Në krijimin e të Gjithëmëshirshmit nuk do të gjesh asnjë defekt apo mangësi. Kështu, nëse në të nuk do të gjesh asnjë lloj mangësie, atëherë ai është plotësisht i bukur, i rregullt dhe i mrekullueshëm. Ngjyra, forma, lartësia e qiejve, dielli, hëna, yjet dhe gjithë ato trupa qiellorë janë të mrekullueshëm e të pashembullt në rregullsinë dhe bukurinë e tyre. Përsosmëria e krijimit të Tij është e sigurt, prandaj Allahu i Lartësuar urdhëron që ne t’i kthejmë e t’i rikthejmë vëzhgimet tona te ky krijim.

– “Vëzhgo, atëherë: A sheh ndonjë të çarë?! Përsëri e përsëri vëzhgo, por ky vëzhgim do të të kthehet mbrapsht i përulur dhe i dorëzuar!” – Allahu na udhëzon që ta vëzhgojmë thellë dhe shpesh krijimin e Tij. Por vëzhgimet tona për të gjetur ndonjë mangësi a çrregullim do të përfundojnë gjithmonë të dështuara e të dorëzuara. Edhe nëse do të provonim me të gjitha forcat të dallonim ndonjë gjë të tillë, do të mposhteshim gjithnjë para kësaj mrekullie dhe madhështie të krijuar nga i Urti. Më tej, Allahu i Lartësuar tregon me hollësi bukuritë e këtij qielli.