– “O populli im, sot ju keni sundimin në tokë. Por kush do të na mbrojë nga dënimi i Allahut kur Ai të godasë mbi ne?” – Kuptimi: Këtu, në këtë botë, ju është dhënë pushtet i dukshëm. Ju sundoni mbi popullin dhe zbatoni mbi ta ligjin që ju dëshironi. Zëreni se kjo do të jetë e vazhdueshme dhe e pacenueshme, – gjë që nuk ka për të ndodhur. Atëherë, a keni menduar: kush do të na mbrojë nga dënimi i Allahut, kur ai të godasë mbi ne? Shihni me kujdes! Ai tha: “mbi ne”. Ky moment tregon se sa stil të bukur dhe tërheqës kishte ftesa e tij. Ai e quajti veten si pjesë e tyre, që kujdesej për ta si për veten e vet, me dashuri e përkushtim, që dëshironte të mirën për ta, ashtu si e dëshironte për veten e vet. Më pas, për ta ndaluar popullin që të pasonte Musain, Faraoni tha:
– “Faraoni tha: “Unë po ju tregoj veçse atë që shoh (vetë) dhe po ju udhëzoj veçse në rrugën e drejtë!” – Është e vërtetë që Faraoni e ftonte popullin e tij në rrugën që, në sytë e tij, ishte e drejtë. Por çfarë ishte kjo rrugë, që ai e mendonte si të drejtë?! Faraoni e shpërfilli të drejtën e popullit për të zgjedhur rrugën e vërtetë, sepse i detyroi ata t’i nënshtroheshin sundimit të tij dhe të bënin ashtu siç dëshironte ai. Në fakt, Faraoni nuk pretendoi se e vërteta ishte me të. Ai ishte i sigurt se e vërteta ishte me Musain, por e refuzoi atë me armiqësi dhe arrogancë.
Ai gënjeu kur tha: “unë po ju udhëzoj veçse në rrugën e drejtë!”. Ky qe tjetërsim i të vërtetës. Po ashtu, nëse do t’i urdhëronte njerëzit që t’i bindeshin atij pa marrë parasysh zgjedhjen e vet personale për ta mohuar Musain, çështja do të ishte më e lehtë. Por Faraoni i urdhëroi që ta pasonin, duke deklaruar se rruga e tij ishte e vërteta, ndërsa ajo e Musait ishte e kotë dhe rruga e së keqes. Megjithatë, besimtari në oborrin e Faraonit, ashtu sikurse të gjithë ftuesit në rrugën e Zotit, nuk reshti kurrë së ftuari popullin e tij në besimin e drejtë. Atë nuk e ndali aspak as refuzimi arrogant i tyre: