Devotshmëria ndaj Zotit është rruga e lumturisë dhe e fitimit të çdo mirësie. Ajo është mundësia e vetme e shpëtimit nga çdo e keqe. Me devotshmërinë ndaj Allahut janë lidhur ngushtë dhe ndërtohen shumë mirësi. I Madhëruari na tregon se për atë që tregohet i devotshëm ka katër premtime, çdonjëri prej të cilëve është më i mirë se e gjithë bota dhe ç’ka në të. Së pari, atij do t’i jepet ‘el furkan’, domethënë dituria dhe udhëzimi, nëpërmjet të cilëve robi arrin të dallojë qartë rrugën e drejtë nga rruga e humbjes, të vërtetën nga gënjeshtra dhe hallallin nga harami. Së dyti dhe së treti përfiton faljen e të këqijave dhe mbulimin e gjynaheve.
Nëse në një kontekst përmendet vetëm njëra fjalë, ‘të këqija’ ose ‘gjynahe’, atëherë ajo përfshin dhe nënkupton edhe tjetrën. Por nëse përmenden të dyja në një kontekst, atëherë me termin “të këqija” nënkuptohen gjynahet e vogla, ndërsa fjala “gjynahe” nënkupton gjynahet e mëdha. Kështu, atyre që përpiqen dhe arrijnë devotshmërinë u premtohen falje dhe mbulim i gjynaheve të vogla dhe të mëdha. Së katërti, u premtohet shpërblim i madh dhe mirësi të shumta. Kështu do të shpërblehen ata që i japin përparësi kënaqësisë dhe porosive të Allahut, kundrejt kënaqësive vetjake e dëshirave pa fre.