Select Page

“Kujto, kur drejtuam disa xhinde tek t’i, që të dëgjonin Kur’anin.” – Allahu i Madhëruar e dërgoi profetin e Tij të dashur e të zgjedhur, Muhamedin (a.s.) si mëshirë dhe udhëzues për të gjitha krijesat, për njerëzit dhe për xhindët. Ishte detyra e Profetit që t’i ftonte të gjithë në rrugën e Zotit dhe t’ua përcillte qartë të vërtetën e shpallur nga Zoti.

Sa u përket njerëzve, Profeti (a.s) i ftonte dhe paralajmëronte ata haptazi, pasi kjo ishte diçka e mundshme. Ndërsa sa u përket xhindëve, Allahu i Madhëruar, me pushtetin e Tij, i solli ata te Profeti (a.s.), që të dëgjonin mesazhin e përcjellë nga ai. Thotë i Lartësuari:

– “Kur u afruan (të dëgjojnë) thanë: “Heshtni!”” – Kur ata iu afruan Profetit (a.s.), që ishte duke kënduar Kur’anin, porositën njëri-tjetrin për të qëndruar të bashkuar dhe në heshtje, me qëllim që të dëgjonin më mirë dhe më qartë.

“Në përfundim, ata u kthyen te populli i vet si këshillues.” – Në përfundim të këndimit të Kur’anit, ata e kishin kuptuar mirë mesazhin e tij, prandaj shkuan menjëherë te populli i tyre, tani si këshillues e udhëzues. Allahu i Madhëruar i bëri muslimanë dhe u mundësoi atyre të bëheshin përhapës së ftesës së Profetit (a.s.) ndër xhindë.