– “Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë.” – Allahu i Lartësuar na tregon në këtë ajet se gjithçka që ekziston në qiell dhe gjithçka që ekziston në tokë është e krijuar nga Ai, i Cili i furnizon dhe i administron çështjet e tyre. Allahu përkujdeset që ata të vënë në vijë çdo problem të tyre. Është Ai që i udhëzon krijesat se si t’i rregullojnë çështjet e tyre të jetës dhe ato të besimit fetar. Gjithçka është pronë e Allahut, të gjithë janë rob e krijesa të Tij, që nuk kanë asgjë në dorë për veten e tyre.
Askush nuk mund t’i sigurojë vetes së vet dëm apo dobi. Ata nuk mund të japin as jetë, as vdekje e as ringjallje. Ata janë nënshtruar të gjithë ndaj dikujt tjetër, ndërkohë që Zotëruesi i tyre është Allahu. Është Ai që vepron me sundimin e Tij dhe administron çështjet e tyre. Çdo gjë në gjithësi ndodh në përputhje me urtësinë, drejtësinë dhe bamirësinë e Allahut.
– “E shfaqni apo e mbani të fshehtë atë që e keni në veten tuaj, Allahu do t’ju marrë në përgjegjësi.” – Allahu u ka dhënë krijesave të Tij disa urdhra e disa ndalesa, dhe pastaj do t’i marrë në pyetje për veprimet dhe sjelljet e tyre, për gjithçka që ata e shfaqin apo që e mbajnë të fshehur.
– “Ai fal atë që do dhe e dënon atë që do.” – Allahu fal atë rob që përpiqet dhe punon atë gjë që sjell faljen dhe mëshirën e Tij. Nga ana tjetër, Allahu ndëshkon atë rob që bën gjynahe, për të cilat ai nuk është i detyruar t’i bëjë, por i bën thjesht me vetëdije dhe vullnet të lirë.
– “Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.” – Allahut nuk mund t’i shpëtojë asgjë. Çdo krijesë është e nënshtruar ndaj pushtetit, dëshirës, dijes, përcaktimit dhe shpërblimit të drejtë të Allahut. Asgjë nuk mund të dalë jashtë këtyre kornizave.